Shteti kundër drogës, betejë në Lazarat

Korrespondentja e Top Channel në Gjirokastër, Kristina Fidhi, e cila po ndjek nga afër zhvillimet në Lazarat, ka raportuar në orët e pasdites se të shtënat në këtë fshat janë ndërprerë. 

Sipas saj, ka pasur disa raste sporadike, por jo shqetësuese dhe palët, policia dhe banorët, duket se kanë arritur një lloj armëpushimi. Megjithatë, operacioni i policisë po vazhdon gradualisht.

“Rreth 500 forca policie janë në operacion, shumica e tyre janë pranë stallës së të dyshuarit dhe grupi hetimor atje po kryen hetime. Megjithatë, policia nuk ka arritur ende në qendër të fshatit, por rrethi është ngushtuar me makina, autoblinda, etj. Policia e ka mbajtur hapur thirrjen për dorëzim dhe kryetari i komunës ka vijuar të negociojë me banorët, por nuk mund të flitet për arritje të qëllimit. Është ndoshta një armëpushim i heshtur deri në orët e natës. 


Në zonat periferike të Gjirokastrës, të dyja palët janë në pozicione luftimi”, ka raportuar Fidhi për edicionin qendror të lajmeve të Top Channel. 

Mësymja e policisë në Lazarat 

Policia hyri në Lazarat në orët e vona të së dielës dhe gjatë ditës së hënë avancoi në brendësi të fshatit, por hasi në kundërshtimin me armë nga ana e një grupi personash. Pas një shkëmbimi intensiv zjarri mes palëve, rreth orës 14.00, të shtënat u ndërprenë, ndërsa në fshat u shfaqën persona me armë dhe maska që kontrollonin lëvizjet dhe mjetet.

Policia listoi 27 emra që drejtohen nga shtetasi Gate Mahmutaj që po sulmonin policinë me armë, ndërsa autoblindat e policisë, repartet RENEA dhe forcat speciale po avanconin shtëpi më shtëpi duke marrë situatën nën kontroll. Vetë Mahmutaj deklaroi se nuk ka lidhje me të shtënat dhe drogën. 

"Akoma s’e kam marrë vesh ç’ka ndodhur. Sapo kam zbritur poshtë nga lopët dëgjova këto. Emri im ka dalë se pranë sallës time janë mbjellë bimë narkotike, por ajo nuk është e imja. Nuk kam kultivuar asnjëherë. Ato që janë nuk më përkasin mua", tha ai per Top Channel. 

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njoftoi më herët se janë 500 forca që po marrin pjesë në këtë operacion për asgjesimin e lëndës narkotike të sapombjellë atje. 

Në njoftimin e saj thuhej se, në drejtim të forcave pjesëmarrëse në operacion prej mbrëmjes së djeshme u qëllua me armë zjarri nga ky grup personash, të cilët përdorën edhe armë të rënda si antitank, mitroloz i rëndë e i lehtë, mortaja, etj. 

Nga veprimet e ndërmarra u identifikua vendi prej nga ky grup personash qëlloi me armë zjarri, duke u lokalizuar pikërisht në banesën e Mahmutaj, i dënuar më parë me vendim gjykate dhe i falur më pas nga Presidenti i Republikës. 

Strukturat e Policisë së Shtetit, në kuadër të këtij operacioni, po bashkëpunojnë me prokurorinë e rrethit. Po ashtu u kërkua bashkëpunimi i pushtetit lokal dhe i banorëve të fshatit Lazarat, që të distancoheshin nga ky grup personash. 

Beteja kundër trafikantëveFshati nën terrorin e trafikantëve, gra e fëmijë të evakuuar, dështojnë negociatat

Brenda në fshat ishte edhe grupi i xhirimit të Top Channel, gazetarja Kristina Fidhi dhe kameramani Ervis Balla, të cilët ishin dëshmitarë të kulmit të përplasjes së armatosur. 

Gazetarja tregoi në raportimin e mëhershëm se fshati ishte i shkretë, ndërsa kishte parë gra dhe fëmijë që nxitonin të largoheshin prej shtëpive. Në rrugë, sipas saj, pati edhe makina të djegura, mes të cilave edhe ajo e kolegëve të televizionit A1 Report. 

Korrespondentja bëri me dije se policia kishte marrë disa nga magazinat e trafikantëve, ndërsa sasi të mëdha hashasi po digjeshin, ndoshta nga vetë trafikantët.

“Ishte një situatë alarmante dhe kaotike. Persona të rinj dhe të armatosur kishin mbuluar fytyrën me bluza për t’u maskuar. Reporterë të A1 Reportit kanë tentuar të hyjnë në Lazarat dhe shoferi i tyre është kërcënuar me jetë”, tha Fidhi.

“Të dyja palët janë në pozicione luftimi. Policia po pret që banorët të tërhiqen nëpër shtëpi dhe të dorëzojnë armët, por duket se ata nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë gjë”, shtoi gazetarja. 

PS dënon dhunën ndaj gazetarëve

Partia Socialiste ka dënuar ashpër dhunën dhe kërcënimet e bëra ndaj gazetarëve nga banorët e fshatit Lazarat, teksa zhvillohej operacioni i policisë. Në një deklaratë për mediat, deputeti Alfred Peza tha se, askush nuk mund të pengojë gazetarët të bëjnë detyrën e tyre “të shenjtë” të informimit të publikut. 

“Partia Socialiste dënon ashpër aktin e rëndë kriminal të një grupi banorësh të këtij fshati, të cilët kanë ndaluar, kanë marrë peng dhe kanë goditur nëpërmjet dhunës verbale dhe grykës së armëve një grup gazetarësh të televizionit A1 Report, që ndodheshin në Lazarat për të kryer misionin e tyre. 

Më pas, këta persona kanë shkatërruar dhe i kanë vënë flakën mjetit me të cilin udhëtonin punonjësit e medias. Grupi i punonjësve të televizionit ishte atje në mes të ditës, në mes të fshatit dhe me një makinë me logo të dukshme të televizionit, për të ndjekur dhe pasqyruar operacionin e Policisë së Shtetit kundër mbjelljes, trafikut të drogës dhe personave me preçedentë penalë në këtë zonë. 

Partia Socialiste përshëndet dhe falënderon të gjithë ata banorë të fshatit Lazarat që u distancuan nga kjo ngjarje e rëndë, duke shkëputur nga thonjtë e kriminelëve punonjësit e televizionit A1 Report, duke garantuar paprekshmërinë e jetës së tyre dhe shenjtërinë e profesionit të gazetarit”, u shpreh Peza, dikur gazetar. 

Tahiri: Kemi nisur betejën me mafien
"Politikanë, mos i dilni përkrah krimit. Lazarati, mos guxoni të qëlloni policinë"

 
Ndërkohë që në Lazarat është një situatë e nderë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shfaq para kamerave nën shoqërinë e forcave Elitë të policisë shqiptare, duke deklaruar se shteti i ka shpallur luftë mafies dhe krimit.

Tahiri kishte përpara sasinë e drogës dhe mjetet e sekuestruara në laboratorin e Fushë-Kuqes së Laçit dhe kërkoi që politikanët të mos bëhen pjesë e krimit dhe trafikut. Duke iu referuar Lazaratit, Tahiri kërcënoi gjithkënd, që do të qëllojë ndaj policisë, se do të përballet me forcën e shtetit, si kurrë më parë.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm që po luftojmë mafien dhe krimin që këto 23 vjet është rritur e pasuruar në kurriz të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, që përbëjnë 99% të popullsisë. Përballë rezultateve të policisë presim që të gjithë, më e pakta të heshtin dhe të lënë ligjin të flasë. Politika më e para. Për atëherë kur politika bëhet palë me krimin, unë personalisht, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Shtetit, mazhoranca si një e tërë, qeveria dhe kryeministri do të bëjmë gjithcka për ti vënë para ligjit. Politika ka detyrë të bëhet palë me qytetarët, jo me krimin. Të mbështesë policinë e Shtetit dhe jo të nxisë kriminelët. Vetëm kështu do të mund të bëjmë vendin e shqiptarëve të barabartë para ligjit, dhe jo vendin e kriminelëve. Po luftojmë kundër përfaqësuesve të botës së krimit, që duhet të ishin sot prapa hekurave, por që nuk janë sepse gjyqtarë të korruptuar, po aq kriminelë sa vet ata, kanë lënë të lirë përfaqësuesit e krimit, me të cilët policia po përballet sot. Ne nuk kemi ndërmend aspak të ndalemi. Drejtësia ka një çmim dhe secili do paguajë cmimin e vet, qoftë ky i kaluar, i tashëm apo i ardhshëm. I bëj thirrje dhe atyre që tani, në këto momente, kanë marrë armët kundër policisë në Lazarat. I keni bërë llogaritë shumë gabim, dhe mos mendoni kurrë se ka Zot në Tokë, që mund t’iu dalë zot në rast se kundërshtoni me armë policinë e Shtetit. Hidhni armët dhe lini policinë të bëjë detyrën. Në të kundërt, forca e ligjit do të veprojë si asnjëherë tjetër”, u shpreh ministri i Brendshëm, Tahiri. 

Rama: Pse nuk flet PD-ja?

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama kërkoi të dinte nëse Partia Demokratike e mbështet apo jo aksionin në Lazarat.

"Një pyetje qe nuk po di si t'i kthej pergjigje: Pse sflet PD dhe e mbeshtet a jo Policine e Shtetit perballe atyre qe qellojne me arme ne Lazarat?", shkroi Rama.

Policia: Kush pretendon se nuk është i implikuar të paraqitet në komisariat

Policia e Shtetit ka ftuar të gjithë personat që pretendojnë se nuk kanë qënë të pranishëm në sulmin me armë ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, të paraqiten në Komisariatin më të afërt në vendet ku ato ndodhen. 

Në deklaratën për shtyp thuhet se “Policia e Shtetit në të gjithë veprimet e saj ka qenë në krah të banorëve të Lazaratit, duke i ndarë ata nga pjesa e inkriminuar. Policia e Shtetit bashkëpunoi dhe me kreun e pushtetit vendor në Lazarat, duke i dhënë mundësinë atij të negociojë me këta persona që kundërshtuan me armë policinë, por jo vetëm që nuk u bë e mundur të bindë personat, por u dha mundësi atyre që pas dy orësh të largohen nga banesa që ishte nën rrethimin e policisë”. 

/ Top Channel