Pranga 30 vjecarit, perdhunoi 17 vjecaren.

Një 30-vjeçar nga qyteti i Patosit ka përfunduar në prangat e policisë së Fierit, pasi akuzohet për "Kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura". Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku dje bënë me dije se Engjëll Beqaj, i martuar dhe baba i një fëmije, është arrestuar pas denoncimit të bërë nga një 17-vjeçare po nga qyteti i Patosit.
 Sipas burimeve të mësipërme, gjithçka ka nisur rreth dy javë më parë. Mësohet se më 21 maj, Beqaj në rrethana ende të pazbardhura ka marrë bashkëqytetaren e tij adoleshente dhe e ka dërguar në Korçë tek një i afërmi i tij. 

Amarilda. F ka deklaruar se 30-vjeçari e ka marrë pa dëshirën e saj dhe e ka mbajtur për më shumë se dhjetë ditë tek banesa e të afërmit të tij. Largimi i të resë pa adresë nga banesa ka alarmuar familjarët, të cilët kanë denoncuar zhdukjen e saj në polici. Blutë, pasi kanë marrë dhe foton e 17-vjeçares, e kanë shpallur në kërkim, ndërsa kanë nisur punën për gjetjen e saj. Po sipas burimeve të mësipërme, adoleshentja, në një momentet që mbahej e mbyllur në një banesë në Korçë, ka mundur të njoftojë familjarët e saj. Menjëherë pas sinjalizimit dhe adresës së dhënë nga Amarilda F., blutë kanë mundur të gjejnë dhe të lirojnë atë. E terrorizuar, vajza ka dëshmuar para oficerëve të policisë gjyqësore se 30-vjeçari Engjëll Beqaj e ka marrë forcërisht dhe e ka dërguar në qytetin juglindor ku dhe e ka përdhunuar. Pas dëshmisë të 17-vjeçares, blutë kanë vënë në pranga maniakun. 

Gjatë marrjes në pyetje, ai ka mohuar krimin. "Nuk është e vërtetë se e kam rrëmbyer me forcë dhe e kam përdhunuar 17-vjeçaren. Ajo erdhi me mua dëshirën e saj", është shprehur Beqaj. Pavarësisht deklarimeve të bëra, 30- vjeçari është arrestuar dhe është dërguar në qelitë e paraburgimit në komisariatin e policisë së Fierit. Burimet nga policia lokale pohuan se po hetohet intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet në ngarkim të Engjëll Beqajt i janë përcjellë për hetime të mëtejshme prokurorisë së këtij rrethi. Pritet që Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit të vendosë masën e sigurisë në ngarkim të tij për akuzën "Kryerje e marrëdhënieve seksuale me të mitura".
fieri.com Ballshi.tk