Brazili, kombëtarja më e titulluar në historinë e topit 1

Nëse futbolli është shpikur nga anglezët, Brazili është quajtur djepi i futbollit dhe mbase jo më kot, e ashtuquajtura “Seleçao” është e vetmja kombëtare që nuk ka munguar në asnjë edicion të Kupës së Botës, duke filluar nga viti i largët 1930 dhe mbi të gjitha është përfaqësuesja më e titulluar në botën e topit, me 5 tituj kampionë. Sivjet verdhejeshilët do të mirëpresin turneun më të rëndësishëm në botë të futbollit për të dytën herë në histori, duke iu bashkangjitur edhe katër shteteve të tjera që e mbanin këtë rekord, Meksikës, Italisë, Francës dhe Gjermanisë. Golat jubilarë – Në 1/8- at e Botërorit të 2006-s kundër Ganës, Adriano shënoi golin e 200-të brazilian në një Kupë Botë, ndërsa i 100-ti i përkiste legjendës Pele, në finalen e vitit 1970 të fituar kundër Italisë me rezultatin bindës 4-1.
Rekorde - Humbja në Frankfurt kundër Francës, më 1 korrik 2006, në çerekfinalet e Botërorit, i ndërpreu “Seleçaos” një seri rekord prej 11 fitoresh radhazi në një Kupë Bote. Brazili gëzon gjithashtu rekordin tjetër absolut që lidhet me 13 ndeshje radhazi pa njohur humbje në një turne të tillë, një seri e vendosur mes kompeticioneve të viteve 1958 dhe 1966. Duke mbetur te ndeshjet, “Seleçao” numëron 45 ndeshje radhazi pa njohur humbje në shtëpinë e tyre, kur bëhet fjalë për eliminatoret e një Botërori. “Kariokat” e ruajnë me mburrje këtë rekord, që nga viti i largët 1954.
Trajnerët - Pas shkarkimit të Mano Menezesit, më 29 nëntor 2012, Federata Braziliane e Futbollit firmos me Lus Felipe Skolarin. Ky i fundit u “ngjit” për herë të dytë në krye të “Seleçaos”, pas titullit botëror të fituar më 2002- shin (Kore e Jugut-Japoni), në një turne ku “banda” e tij i fitoi të 7-ta ndeshjet që luajti.
ARRITJET
PJESËMARRJET NË BOTËRORË
19 (1930-2010)
POZICIONIMET MË TË MIRA
Kampione bote (1958, 1962, 1970, 1994, 2002)
Vendi i dytë (1950)
Finaliste humbëse së fundmi (1998)
Vendi i tretë (1938, 1978)
Vendi i katërt (1974)
BILANCI
97 ndeshje, 67 fitore, 15 barazime, 15 humbje
210 gola të shënuar – 88 gola të pësuar
LOJTARËT ME MË SHUMË PREZENCA NË KUPËN E BOTËS
Kafu (20), Ronaldo (19), Dunga, Tafarel (18)
GOLASHËNUESIT MË TË MIRË NË KUPËN E BOTËS
Ronaldo (15), Pele (12), Zhairzinjo, Vava (9)
TRAJNERËT ME MË SHUMË PREZENCA NË KUPËN E BOTËS
Zagallo (20), Parreira (12), Santana (10)
SI ËSHTË KUALIFIKUAR SIVJET
Është vendi pritës i Botërorit, ndaj u kualifikua automatikisht.
STATISTIKAT E PËRFAQËSUESES
Brazili është e vetmja kombëtare që ka marrë pjesë në të gjitha fazat finale. Pas tre edicioneve të para, arritja më e mirë është gjysmëfinalja në edicionin e vitit 1938, ndërkohë që humb shansin e madh për fitore në vitin 1950, në shtëpi, duke u mundur në finale 2-1 përballë Uruguait. Në vitin 1954 e sheh veten të eliminuar nga Hungaria në çerekfinale, por arrin të triumfojë në dy Botërorët që pasojnë, në Suedi dhe Kili, duke mundur në finale respektivisht Suedinë dhe Çekosllovakinë. Në Kupën e Botës në Angli e sheh veten të eliminuar, të turpëruar që në fazën e parë të turneut, por në vitin 1970 dominon dhe fiton, duke shkatërruar në finale Italinë në shifrat 4-1. Në Botërorët e vitit 1974 dhe atij të 1978-s nuk shkon më larg se katër më të mirat, ndërsa në tre edicionet pasardhëse eliminohet përpara gjysmëfinaleve nga Italia në vitin 1982, nga Franca në 1986- n dhe nga Argjentina në vitin 1990. “Seleçao” rikthehet te suksesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur mposht edhe njëherë tjetër në finale Italinë. Pas 120 minutave të mbyllura në barazim 0-0, amerikano- jugorët tregohen më të saktë nga pika e penalltisë dhe festojnë titullin e katërt botëror. Në Francë (1998) humbin pa forca për t’u kundërpërgjigjur përballë të zotëve të shtëpisë (3-0), por ata rikthehen te triumfi në Botërorin aziatik të vitit 2002 (Japoni-Kore e Jugut), duke mundur Gjermaninë. Por në Gjermani, në 2006-n ndalen sërish nga “gjelat” e Francës, në çerekfinale. Së fundmi, në Afrikën e Jugut, Brazili shkëlqen në grup, ndërsa në 1/8-at shkatërron 3-0 Kilin, edhe pse në çerekfinale surprizohen nga Holanda, duke i dhënë lamtumirën përpara kohe kontinentit të zi.
Përgatiti: JETON STAMOLLA


Burimi: Ballshi.tk