Shpërthejnë bastet/ Kuotat: Brazil 4, Argjentina 5, Spanja 6, Gjermania 7.5……….Italia asnjë shans…..

Me Botërorin në prag, kompanitë e basteve kanë publikuar edhe koeficientët për sa u përket skuadrave favorite për të triumfuar në Kupën e Botës. Për ata që në lojë vënë paratë, është vendi organizator, Brazili, kombëtarja favorite për të fituar Botërorin. Menjëherë pas “Seleçaos” qëndron Argjentina, ndërsa vetëm në vend të tretë qëndrojnë kampionët në fuqi të Spanjës, që ndiqen nga Gjermania. Kompania britanike “Betfair” e kuoton me koeficientin 4 triumfin e 5 herë kampionëve të Botës për këtë event. Pra, e thënë në gjuhën e bastexhinjve, nëse vendos bast 1 euro për triumfin e Brazilit, fiton 4 euro. Me koeficientin 5 kuotohet suksesi i Argjentinës, ndërsa respektivisht me 6 dhe 7.5 koutohen Spanja dhe Gjermania. Të njëjtat kuota ofron edhe kompania tjetër britanike “Bet365′′, me ndryshimin e vetëm, se e vlerësojnë me koeficientin 7 mbrojtjen e titullit nga përfaqësuesja “La Roja”.
Përveç kuotave se cila përfaqësuese do të triumfojë në Botëror, kompanitë kryesore të basteve në botë kanë nxjerrë edhe koeficientet për lojtarin që mund të fitojë “Këpucën e Artë”. Favoritët kryesorë për t’u shpallur kryegolashënues të Botërorit janë dy futbollistët e Barcelonës, Lionel Mesi dhe Nejmar. Kompania “Betfair” e shumëzon me 9 bastin e vënë për triumfin e yllit argjentinas sa i përket shënuesit më të mirë të Botërorit, ndërsa me koeficientin 12 kuotohet Nejmar. Pas liderit të “Seleçaos”, vijnë me radhë argjentinasi Aguero dhe portugezi Ronaldo, që kuotohen respektivisht me koeficientin 15 dhe 19. Vetëm i teti në radhë qëndron sulmuesi i Spanjës, Diego Kosta, pasi nëse vendos bast 1 euro për triumfin e tij në këtë betejë, fiton 29 euro.
Kur Nate Silver flet, çdo fjalë e tij duhet mbajtur shënim. Në Europë ndoshta shumë pak e njohin, por në SHBA ai njihet si guruja i statistikave, njeriu i parashikimeve. Kulmin e famës Silver e arriti në zgjedhjet presidenciale në Amerikë të vitit 2008, kur me saktësi parashikoi fituesin në 49 nga 50 shtete dhe në të njëjtin vit gjeti edhe fituesit për vendet në senat. Sipas përllogaritjeve të tij, kombëtarja e “Seleçaos” ka 45% shanse që të ngrejë lart trofeun më të madh në planet në finalen e 13 korrikut. Spanja, kampionia në fuqi, e konsideruar nga shumë specialistë si njëra prej favoriteve, ndodhet në vendin e katërt, me 8% mundësi, pas argjentinasve me 13% dhe gjermanëve me 11%. Ka surprizuar Nate Silver me parashikimet, pasi kombëtares italiane i ka dhënë më pak se 1% shanse për triumfin në Botëror, po aq sa Portugalia, Holanda e shumë ekipe të tjera. Anglezët ndodhen pak më lart, në kuotim. /opozita.com/