Ambasadori Gaiani, Shqipëria do ta marrë statusin.


Në prag të vendimit të BE-së, për t’i dhënë ose jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat, ambasadori i Italisë në vendin tonë shprehet optimist se Shqipëria do të marrë statusin. Gjatë një aktiviteti të organizuar në Fier, me rastin e javës kombëtare të Italisë, ambasadori Massimo Gaiani tha se Shqipëria e meriton statusin në BE.
“Jemi në muajin kur do merret vendimi për statusin. Pavarësisht vonesës Shqipëria do e marrë statusin. Italia do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë.”- deklaroi ambasadori Gaiani. 
Komisioni Europian pritet të nxjerrë këtë muaj një raport për ecurinë e reformave shqiptare, së bashku me një vendim të vendeve anëtare mbi statusin e vendit kandidat. 
Vendet anëtare të Bashkimit Europian kërkuan në muajin dhjetor më shumë kohë për të gjykuar mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, sidomos forcimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vendet anëtare pritet të vlerësojnë përsëri këto ditë kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. 
Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama, tha se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat, sepse po përpiqet të zbatojë ligjet dhe reformat europiane. Ai tha se Shqipëria, Bashkimi Europian dhe Ballkani kanë nevojë për njëri tjetrin. 
“Shqipëria e meriton statusin e kandidatit. Nuk diskutohet kjo. Sa ç’ka nevojë Shqipëria për Bashkimin Europian, ka nevojë Bashkimi Europian për Shqipërinë; sa ç’ka nevojë Ballkani për Bashkimin Europian, ka nevojë Bashkimi Europian për Ballkanin. Të mos e harrojmë për asnjë moment se të gjitha sfidat që sot kanë sjellë rritjen e disa forcave të padëshiruara në Bashkimin Europan janë sfida që përballohen më mirë së bashku sesa veç e veç. Në radhë të parë sfida e sigurisë, sfida në luftën kundër krimit të organizuar” - tha Rama. 
fieri.com
Ballshi.tk