Largime e afrime, në Ballsh duan një ekip pretendent

Koha e gjatë që nga përjashtimi i Bylisit nga Kategoria Superiore dhe deri në fillimin e kampionatit në shtator, ka bërë që lojtarët të stërviten individualisht, kjo për të ruajtur formën e tyre fizike. Kjo pasi janë afro 4 muaj deri në fillimin e sezonit të ri, kur Bylisi do të militojë në Kategorinë e Parë. Burime të sigurta pranë klubit tregojnë për “Panorama Sport” se drejtuesit do të bëjnë blerje cilësore, ku objektivi i vetëm do të jetë ringjitja në elitën e futbollit shqiptar sezonin e ardhshëm. Nga ana tjetër, pritet të jenë të shumta largimet nga Bylisi dhe pritet të ndërtohet një ekipi pothuajse i ri, duke filluar nga porta e deri në sulm. Ndërkaq, me hapjen zyrtare të merkatos do të bëhen publikë edhe emrat e lojtarëve të cilët do të afrohen në skuadër. Nga sa mësohet, futbollistët priten të jenë të rinj dhe me eksperiencë, ndërsa do të afrohen edhe lojtarët që klubi i kishte dhënë në formën e huazimit te skuadrat e tjera sezonin që lamë pas. Kështu, pritet krijimi i një ekipi të përbërë me të rinj të talentuar, si edhe ata me eksperiencë, për t’i krijuar trajnerit Emanuel Egbo një grup pretendent për t’u ngjitur në Superiore edicionin e ardhshëm. Ky do të jetë objektivi që klubi dhe drejtuesit do të vendosin ndaj lojtarëve dhe trajnerit.
Renaldo Gremi

Burimi:Ballshi.tk