Ne burg 37-Vjecari. Nuk e dija se me gacmonte nenen,nuk e vrava une

Fier, i akuzuari për vrasjen e 82-vjeçarit mohon krimin. Vëllai: E rrahën që ta pranonte Edmond Hoxhaj Bashkëpunëtori – Është identifikuar edhe një person tjetër si bashkëpunëtor në vrasjen e Likometajt, por nuk është arritur dot të zbulohet vendndodhja e tij Masa – Gjyqtarja Arta Duka u njoh me provat e prokurorit Erind Rehovica dhe pretendimet e avokatit Agim Lala dhe caktoi masën “arrest me burg” I arrestuari për vrasjen e 82-vjeçarit Noke Likometaj një javë më parë në qytetin e Fierit, ka mohuar para gjykatës që të ketë lidhje me krimin, duke theksuar se është i pafajshëm dhe se nuk e di pse është prangosur. Mëngjesin e djeshëm, 37-vjeçari Skënder Krasniqi është shoqëruar për në Gjykatën e Fierit nën masa të rrepta sigurie, ku është përballur me akuzën e ngritur nga prokuroria. Kjo e fundit, pasi paraqiti si provë deklarimet e personave të shoqëruar dhe paraqiti prova të siguruara nga hetimi paraprak, ka kërkuar vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të 37-vjeçarit Krasniqi dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg pa afat” ndaj tij. Ndërsa vetë i arrestuari ka pohuar para togave të zeza se nuk ishte në dijeni të ngacmimeve të viktimës ndaj nënës së tij. Ai ka theksuar se nuk kishte asnjë arsye pse duhej të vriste 82-vjeçarin. Dëshmia e 37-vjeçarit Pak para se të niste seanca, i akuzuari u është drejtuar përfaqësuesve të mediave, duke u thënë se ishte i pafajshëm. “Nuk e kam vrarë unë. Unë nuk e kam pranuar asnjëherë se kam bërë vrasje. Nuk di gjë fare. Isha në shtëpi me fëmijët e mi kur erdhën e më thanë do të shoqërojmë në polici. Kur vajta atje më treguan se isha arrestuar për vrasjen e 82-vjeçarit. Unë jam shokuar kur më thanë se akuzohesha për këtë. Nuk e di pse më gjetën mua. Nuk kam gisht në vrasjen e tij. Madje as nuk e kam ditur që ishte vrarë. Nga televizori dëgjova që ish vrarë dhe më erdhi keq që kish ndodhur kështu. Betohem që s’kam dorë në këtë vrasje. Nuk kisha asnjë arsye. Nuk di fare që ai të ketë ngacmuar nënën time. Edhe nëse do të ma kishte thënë një gjë të tillë, ajo është plakë, nuk kisha pse bëja gjëra të tilla. As më shkonte ndërmend të dyshoja për gjë të tillë. Por nuk jam në dijeni për ngacmime fare, fare. Më besoni! Nuk kam bërë asgjë. Jam në rregull me veten”, ka pohuar Krasniqi pak para se të niste seanca e caktimit të masës së sigurisë. Pasi gjyqtarja Arta Duka u njoh me provat e paraqitura nga prokurori Erind Rehovica, i cili kërkoi arrest me burg për 37-vjeçarin dhe pretendimet e avokatit Agim Lala, i cili kërkoi pafajësi të klientit të tij, vendosi të pranojë kërkesën e organit të akuzës duke caktuar masën e sigurisë arrest me burg pa afat ndaj 37-vjeçarit Krasniqi. Vëllai Nga ana tjetër, vëllai i autorit të dyshuar, Kujtim Krasniqi, ka pohuar për median se ndaj vëllait të tij është ushtruar dhunë që ai ta pranojë një krim që s’e ka bërë. “Vëllai im nuk e ka vrarë 82-vjeçarin Likometaj. Kur është bërë vrasja, ai ishte në shtëpinë e tij me gruan e fëmijët. Ai shet banane gjithë ditën për të fituar dy mijë lekë të vjetra. Nuk ka dorë në këtë vrasje. E kanë rrahur vëllain që të pranojë krimin, por ai s’ka si ta pranojë kur s’e ka bërë. Policia më shoqëroi edhe mua. Më kanë sharë, më kanë rrahur. Dy persona më mbanin e dy më qëllonin në zyrat e shtetit. Do ta ndjek çështjen deri në fund. Polica ta gjejë diku tjetër vrasësin, po na fusin në hasmëri kot”, ka pohuar Kujtimi. Ndërkohë, nga hetimet e deritanishme është identifikuar edhe një person tjetër si bashkëpunëtor në vrasjen e Likometajt. Por, pavarësisht se është shpallur në kërkim, nuk është arritur dot të zbulohet vendndodhja e tij. Skënder Krasniqi u arrestua tri ditë më parë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me një person tjetër kanë vrarë 82-vjeçarin Noke Likometaj, pasi ky i fundit shqetësonte familjarët e tyre me fjalë fyese.
gazetashqip.com