Ndeshjet kryesore te se dieles,te futbollit evropian

Në Itali është radha e Romës që kërkon të hedhë pas krahëve zhgënjimin e disfatës së thellë në Champions League kundër Barcelonës. Verdhekuqtë presin në “Olimpico” Atalantan ku do të kërkojnë një fitore për të përfituar nga përballja Napoli-Inter. Mungesat e sigurta të Gervinho dhe Salah mund të peshojnë në fatin e ndeshjes, por një tjetër hap fals nga ana e skuadrës së Garcias do të lëkundte seriozisht stolin e trajnerit francez, i cili kërkon që skuadra e tij të fitojë terren në kampionat ku gara për titullin po bëhet edhe më e ashpër. Në transfertën e Empolit, Lazio udhëton për të thyer mallkimin e fushës toskane ku gjatë sezoneve të fundit nuk e ka pasur asnjëherë të lehtë. Vetëm një pikë në 4 ndeshjet e fundit për bardhkaltërit janë treguesi më i qartë për krizën që po kalon grupi i drejtuar nga Pioli që në Empoli ka vetëm një objektiv, fitoren. Një tjetër sfidë interesante në Serie A është edhe ajo mes Chievos e Udineses, ndërsa në orën 20:45 Juventusi zbret në fushën e Palermos. Bardhezinjtë vijnë pas tre fitoreve rresht dhe objektivi kryesor është vazhdimi i rrugës së nisur disa javë më parë për të fituar sa më shumë terren ndaj kryesuesve. Treni i titullit nuk është larguar ende përfundimisht për torinezët që shpresojnë te ish-i më i madh i mbrëmjes, Paulo Dybala, i cili po rezulton njeriu kyç në rilindjen e kampionëve. Në Spanjë është radha e Realit që viziton Eibarin për të ngushtuar sërish në -6 diferencën me Barcelonën kryesuese. Rafael Benitez do të hedhë në fushë një skuadër sulmuese, ndërsa nuk do të ketë në dispozicion Sergio Ramos. Disfata turpëruese ndaj Barcelonës në Bernabeu kurohet vetëm nëpërmjet sukseseve të njëpasnjëshme dhe Reali e di mirë një gjë të tillë pasi nuk ka alternativë tjetër përveç fitores. Në krahun tjetër, Eibar po bën një ecuri të jashtëzakonshme pa asnjë humbje që në muajin Tetor të regjistruar ndaj Barcelonës dhe ky është një sinjal që duhet ta alarmojë skuadrën “Merengues”. Ndeshja do të luhet në orën 16:00 dhe do të transmetohet në kanalet SS4-SS4HD. Në Andaluzi, Sevilla dhe Valencia prezantojnë një klasike të viteve të fundit edhe pse gjatë këtij sezoni të dyja skuadrat kanë treguar rënie të ndjeshme në rendiment duke qëndruar përkohësisht jashtë zonës Champions. Ndërkohë, Bundesliga starton me ndeshjen delikate të Borussias së Dortmundit në “Signal Iduna Park” kundër Stuttgartit. Fitorja e Bayernit e bën pothuajse të pamundur afrimin e djemve të Tuchel me kampionët në klasifikim, por objektivi kryesor është ruajtja e vendit të dytë. Gjërat kanë nisur të funksionojnë për Borussian që do të kërkojë të hedhë pas krahëve zhgënjimin e një jave më parë pas humbjes në Hamburg, ndërsa Stuttgarti synon të mos dalë pa pikë nga transferta pasi vazhdin të mbetet në zonën play off të rënies nga kategoria. Java e 14 e Bundesligës do të mbyllet me dy sfidat e tjera, Leverkusen-Schalke 04 dhe Augsburg-Ëolfsburg. Në Francë, Marseille pret Monacon në orën 21:00, ndërsa në Holandë PSV Eindhoven sfidon AZ Alkmaar. /Telegrafi/