Deputeti kristian-demokrat, Mark Frroku i ka dërguar një kërkesë kuvendit me anë të të cilës deklaron se heq dorë nga mandati i deputetit. Lajmi konfirmohet nga avokati i Frrokut, Sajmir Vishaj sipas të cilit deputeti ka vendosur të tërhiqet pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetueses. Çështja Frroku është çuar në Gjykatën Kushtetuese nga Këshilli i Mandateve. Frroku ka mbi 6 muaj që nuk merr pjesë në seancat e kuvendit, edhe pse ka kërkuar shumë herë që të jetë i pranishëm në sallë. Mark Frroku po hetohet për disa vepra penale në Shqipëri, si dëshmi të rreme, fshehje pasurie apo ndërtim i paligjshëm, ndërsa në Belgjikë akuzohet për vrasje. Të gjitha këto procedime penale janë regjistruar pas muajit mars të këtij viti, ku në atë kohë, deputeti Tom Doshi tregoi se Frroku i kishte thënë se po bëhej një atentat ndaj tij. Fillimisht deputeti i Pukës u arrestua dhe më pas u la në arrest shtëpie për komplotin, ndërsa në mes të muajit mars, policia e riarrestoi, me kërkesë të autoriteteve belge. Që nga ajo kohë e deri më tani, Frroku i ka ndërruar shpesh qelitë e paraburgimit, ndërsa ka vizituar shpesh edhe Gjykatën e Lartë, ku janë zhvilluar një sërë procesesh gjyqësore, pasi avokatët e tij kanë bërë dhjetëra kërkesa, me të vetmin qëllim: lirimin e deputetit. (gazeta-Shqip.com)