Prej më shumë se dy vjetësh Shqipëria është pa kryeministër. Në vend të tij, shohim përditë një aktor agjitator që shfaqet edhe si publicist, teoricien dhe ndonjëherë si karikaturist
Kryeministri i Shqipërisë po i mërzit përditë e më shumë shqiptarët që shohin emisionet e lajmeve. Marria e këtij kryeministri për të qenë përditë para ekranit, për të folur pa fund e për të zënë minuta e orë të pafundëta, po kuptohet përditë se është e vetmja gjë që ky di të bëjë. Mjafton të kesh pak vëmendje e do kuptosh se kjo është puna e përditshme që ai di të bëjë. Natyrisht nuk është ajo pjesa tjetër e ditës kur merret me punët e veta, apo kur hedh topin me përtesë te koshi i basketbollit brenda në Kryeministri. Në ditët që nuk shihet kjo parodi qeveritare, Rama është jashtë shtetit. Në këtë mënyrë Shqipëria ka sot një njeri që kryen punën e kryeagjitatorit. Kjo nuk është politikë, por vetëm propagandë. Është krejt pa nivel në sallën e Kuvendit ku kryeministri lëshon sharje mediokre për opozitën, por edhe në aktivitetin e përditshëm të tij. Godina e Kryeministrisë është kthyer në qendër të agjitpropit. E vetmja gjë që mendohet aty është propaganda. Ajo është kthyer në ministrinë e propagandës. Më shumë ngjet me një kompani publicitare sesa në një zyrë shtetërore. Rendi i ditës së punës së kryeministrit është vetëm monologu. Ky monolog tashmë dihet si lexohet. Rama, për fat të keq, dihet çfarë do të thotë edhe sikur fare mos ta hapë gojën. E fillon me rrënimin që gjeti pushteti i tij, vazhdon për dëmet që sjell “armiku i klasës”, e vijon me një varg lëvdatash për veten e tij duke përsëritur vend e pa vend “ne”, “ne”, etj. Përemri vetor “ne”, i përsëritshëm shumë herë, ngjan shumë herë me blegërimin e një keci të harbuar për qumësht dhie apo për barishte. Salla e Kishës Ortodokse në Tiranë, kushedi sesa herë ka shërbyer për aktivitete propagande të Edi Ramës. Formula e emetimit të propagandës është kohore dhe tematike.
Në fillim ishte me ndarje kohore ku dallonte sigurisht 300 ditëshi. Ky i fundit përdorej rëndom nga gazetaria komuniste në funksion të përmbushjes së detyrave të ditës në bujqësi si punimi i tokës, plehërimi, ujitja etj. Kaq qesharak u bë Rama me këtë gjë saqë në rrjete sociale fjalimeve të tij i ngjitën gazetën e dikurshme të Partisë së Punës, e cila merrej me detaje me 300 ditëshin bujqësor.
Tanimë që kësaj qeverisjeje varfëruese, me një kryeministër që mungon në detyrë, i është shënuar hyrja e vitit të tretë. Tematika e propagandës tanimë prej çështje dhe grupe çështjesh. Zhvillohen plenume të tëra, mblidhen njerëz sa andej e këtej për të dhënë përshtypjen se qeveria po punon. Nuk do gjesh vend në rajon (në botë jo e jo) që të mbledhi njerëz për t’i folur kryeministri për njëvjetorin e aksionit të energjisë elektrike. Edhe kongreset e komunizmit të kooperativave bujqësore nuk binin kaq poshtë në këtë lloj propagande. Megjithatë, ka pasur raste të ngjashme si p.sh. kur përkujtohej kaq vjetori i ndarjes së tapive të para. Propaganda Rama, në kërkim të daljes nga mërzia ku është futur, po përpiqet të bëhet interesante, pa e arritur këtë gjë. Kryeministri kujdeset që të mos jetë në një sallë, si ajo që përmendëm më lart, por të jetë në disa variante, si edhe të jetë në fushë të hapur. Kjo propagandë ngjan në përmbajtje me atë të regjimit komunist. kur Shqipëria ishte vendi më i varfër me gjithë ato probleme, thuhej rëndom se ishim vendi më i lumtur, se në Afrikë jetohej keq, se revolucioni në botë do të bënte namin, etj. I fundit mjet propagandistik ishte ai që na tha se në këto dy vite e ca të qeverisë së Ramës na qenkan ulur taksat 97%. Çudi e madhe kjo. Edhe taksat janë ulur edhe njerëzit varin veten, edhe kërkesa për azil është shumë e lartë. Këto lëvdata të Ramës, i ngjajnë atij çmimit që mori Shqipëria komuniste në vitit 1986 në Meksikë për ushqimin më të mirë. E kur pale, në kohën kur në Shqipëri u shit mish qeni për popullsinë.
Shihni kryeministrat e tjerë në rajon, Europë apo më shumë. Nuk do gjeni budallallëqet që bën përditë Edi Rama. Shihni televizionet me emër në shtete në nivel me Shqipërinë apo shumë lart saj. Nuk do gjeni raste të tilla.
Edi Rama në fakt ngjan me një tellall modern. Natyrisht jo të atij me daulle e të bërtitura, por të atij me të bërtitura e pa daulle. Edhe në higjienë vetjake Rama ngjan me tellallin.
Por Rama ka klonuar edhe ministrat e tij. Tek i sheh përditë edhe ata si papagallë që flasin për arritje të mëdha, të “inspektojnë” në ditë të caktuara, kupton më shumë se çdo gjë çfarë efekti negativ lëshon përditë e më shumë një njeri si Edi Rama. Kthimi i Kryeministrisë në një institucion shtetëror është detyrë e ngutshme. Ajo godinë duhet të heqë dorë nga funksione që po mban aktualisht e që e tregojnë si një bienale të madhe.