Mungesa e rrogave prej gati 2 muajsh, ka detyruar 140 punonjës të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier të dalin në një protestë. Naftëtarët kanë kërkuar ndihmën e shtetit në mënyrë që problemi i tyre, të gjejë zgjidhje të menjëhershme.
Gjatë protestës, punëtorët kanë theksuar se nëse ky problem, i cili ka vështirësuar gjendjen ekonomike të familjeve të tyre, nuk gjen zgjidhje të shpejtë atëherë ata do të bojkotojnë punën.
“Kërkojmë rrogat mujore se nuk kemi me çfarë të hamë bukë. Fëmijët unë i kam në shkollë. Kam për të paguar faturat e dritave, ujin, qiranë e shtëpisë. Nuk kërkojmë gjë tjetër përveç atyre që na takojnë. Nuk kërkojmë kushte më të mira, port ë paktën të paguhemi për punën që bëjmë” ka theksuar njëri prej punëtorëve.
Ndërsa një tjetër protestues ka theksuar se nga ana e drejtuesve të kësaj rafinerie, i thonë se do i paguajnë por ende asgjë nuk është bërë. “Jemi mbledhur për të kërkuar të drejtat tona. Nuk na japin lekët. Ja po ikën dhe nëntori dhe u bënë dy muaj që nuk jemi paguar. Uzina punon me kapacitet të plotë por ne nuk po paguhemi”.
Kjo është hera e tretë që punëtorët e kësaj uzine protestojnë për shkak të mungesës së rrogave ndaj tyre. Edhe pak kohë më parë, gjatë ditëve të para të muajit tetor, ata bllokuan punën duke dalë në protestë për shkak të moslikujdimit nga ana e firmës së përpunimit të naftës. Punëtorët kanë paralajmëruar se nuk do të paraqiten në punë derisa kjo situatë të marrë fund.
Alfred Guraj/Shekulli Online/