Një gol i mrekullueshëm i Maringlen Shoshit nga goditja e lirë i garantoi Bylisin një rikthim “ekspres” në Kategorinë Superiore, pas një fitoreje madhështore në “Roza Haxhiu” ndaj një Lushnje që vuajti jashtë mase faktorin psikologjik dhe presionit, duke humbur pikërisht ndeshjen e “jetës”. Të dyja skuadrat e mbyllën takimin me nga dhjetë lojtarë, pa kartonë të kuq për Kuçin e Bylisit dhe Bizhytin e Lushnjës.
Rasti i parë i artë iu paraqit Lushnjës në minutën e 16-të, kur Branica u frenua në mënyrë të parregullt nga Kuçi me gjyqtarin Enea Jorgji që akordoi penallti. Lojtarët edhe stafi i Bylisit protestuan , por Kaloshi bën heroin kur devijoi në goditje këndi gjuajtjen e Mikel Cankës, pikërisht njeriut që kishte shënuar 15 gola me fanellën verdhejeshile në 13 ndeshje.
Ballshiotët reaguan fuqishëm dhe në minutën e 37-të fituan një goditje të lirë ballore, rreth 18 metra larg portës së mbrojtur nga Spaho. Maringlen Shoshi ekzekutoi mjeshtërit goditjen, me topin që pushoi në rrjetë. Një gol i mrekullueshëm i mbrojtësit të Bylisit. Hesht “Roza Haxhiu”. Me këtë rezultat, i kualifikuar është Bylisi.
Përpjekjet e shumta të Lushnjës, për të shënuar golin e barazimit, rezultat që e çonte në Superligë nuk rezultuan efikase, me takimin që u mbyll me fitoren e Bylisit, që edhe pse u barazua me pikë më Lushnjën u ngjit në Kategorinë Superiore, për shkak të rezultateve direkte më të mira me kundërshtarin.
Tre sfidat direkte sezonale janë mbyllur me dy me fitoren e Bylisit 1-0 në “Adush Muça” dhe 0-1 në “Roza Haxhiu”, kundrejt një fitoreje të Lushnjës me rezultatin 3-2 në shtëpi. Edhe në këtë takim të dyja skuadrat e mbyllën takimin me nga dhjetë lojtarë.
LUSHNJA-BYLIS 0-1
Shënues: / Shoshi 37’
LUSHNJA: Spaho; Ndoni, Sula, Bizhyti, Bakiasi; Baze, Topi; Gjyla, Branica, Çela, Canka. Trajner: Artan Bano.
BYLIS: Kaloshi; Shoshi, Kuçi, Basriu, Gjonbrati; Muça, Sako; Liçaj, Pepa, Shehaj, Hoxha. Trajner: Roland Nenaj
GJYQTARË: Enea Jorgji
Karton i kuq: Bizhyti 88’ (Lushnja) /Kuçi 62’ (Bylis)