Kryeministri Rama në takime elektorale në Mallakaster dhe Patos

Kryeministri Rama ka vijuar takimet elektorale duke u ndalur në Mallakastër dhe Patos. Ai ka kërkuar mbështetje për kandidatët respektivë në këto bashki, Shyqyri Kapllani dhe Rajmonda Balili. Rama gjithashtu akuzoi demokratët se po zhvillojnë një fushatë pa ide, pa ofruar zgjidhje për problemet e qytetarëve.

Fushata e demokratëve i duket Edi Ramës e zbrazur nga idetë. Ndaj, mallakastriotëve, Kryeministri u kërkoi të votojnë për kë ofron një zgjidhje për probleme si cerdhet, kopshtet dhe mbeturinat.

Premtoi një ndryshim rrënjësor për Bashkinë e re por për këtë tha se kishte nevojë që mbështetja e elektoratit për kandidatin e majtë të ishte e madhe.

Ndërsa në Patos, tregoi se me ndarjen e re elektorale, Bashkia do të jetë dera ku do të mund të qajnë hallin. 
Foli edhe për problemet e shkaktuara nga Bankers me nxjerrjen e naftës. Me kompaninë është rënë dakort që kompensimi të jetë në 100% të vlerës së dëmit. 

Në Patos, koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” garon me kandidaten Rajmonda Balili.