Gjatë seancës së sotme të Kuvendit deputeti i majtë Ben Blushi e ka quajtur diplomacinë shqiptare si 'amatore', të paaftë për të reaguar dhe mbajtur qëndrimin e duhur në raport me vendet e tjera, siç ishte dhe rasti i fundit me Maqedoninë.
Blushi shprehu bindjen se qëndrimi i qeverisë shqiptare për rishikim të vetos për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, nuk do të zgjidh aspak punë, përkundrazi do ta forcojë edhe më shumë Gruevskin, siç ndodhi me veton e Greqisë.
Duke folur për diplomacinë shqiptare, Blushi tha se u gabua edhe në raport me Turqinë, me vizitën e presidentit Erdogan, ku qeveria dha premtime që s’mund të mbahen, referuar kërkesës për ndërtimin e Parlamentit dhe mbylljes së shkollave Gylen.
"Qeveria dje ka thënë, unë përsëri do ta interpretoj; mund të rishikojmë veton tonë në raport me Maqedoninë për anëtarësimin e saj në NATO. Gruevski është bërë më i fortë për shkak të vetos greke, në kushtet kur ky presion nga jashtë nuk do ishte kaq i madh, Gruevski nuk do ishte kaq i fortë. Pra vetoja greke nuk ka funksionuar, nuk jam i bindur se dy veto do funksionin më shumë. Por prapë jam i bindur se qeveria do ta ri interpretojë atë që ka thënë. Nuk jemi sot në ditët më të mira, mund të kishim një politikë të jashtme shumë më të mirë në rajon; mund të ishim më aktivë; mund të ishim diplomatë më të mirë; sepse dyshoj se qeveria në disa raste; siç ka ndodhur dhe siç mund të ndodhi; ngatërron një gjë; ngatërron fishekzjarrin me dritën".
"Duhet të kemi më shumë dritë dhe ta shohim rajonin siç është, dhe në fund fare mund të bëjmë politikë të jashtme duke i dhënë model rajonit vetëm me një mundësi; me një probabilitet; duke qenë një shtet i fortë; demokratik dhe ekonomikisht i vetmjaftueshëm. Nëse të treja këto kushte i plotësojmë, sigurisht që politika jonë e jashtme në rajon do të jetë shumë më e fortë se çështë sot, dhe unë uroj që do të ndodh", tha deputeti i PS-së Blushi.
Por akuzave të deputetit Blushi për një diplomaci amatore shqiptare i është përgjigjur ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati i cili tha se Shqipëria ka qenë e qartë që në krye të herës për çështjen e Maqedonisë, dhe ka qenë në një linjë me SHBA-në dhe BE-në për hetim ndërkombëtar.
Ndërsa duke iu referuar me ironi opozitës Bushati u shpreh se ndoshta as gjermanët nuk kanë shumë të qartë shikimin sa që e ka opozita. Gjithashtu Bushati e quajti të papranueshme edhe deklaratën e ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov se Shqipëria dhe Bullgaria kanë tendenca për të ndarë Maqedoninë mes vete.
Bushati: Për Kumanovën Shqipëria kërkoi hetim ndërkombëtar, njëlloj si NATO dhe Gjermania
“Shqipëria ka qenë e qartë që në krye të herës për zhvillimet në Maqedoni. Sepse po të mos kishte qenë e e qartë që në krye të herës unë sërish ju sfidoj. Ne zyrtarisht kërkuam në NATO, hetim transparencë ndërkombëtare për rastin e Kumanovës. Të njëjtën kërkesë bëri sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Të njëjtën kërkesë dhe ministri i Jashtëm gjerman dje publikisht. Na thoni të nderuar kolegë çfarë duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim. Flasim edhe për Serbinë, ka pasur një zhvillim nga procesi i Berlinit në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, dhe nëse ne sot mund të flasim për frytet e Berlinit, fryti i parë është një marëdhënie më e normalizuar ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë".
"Një vizitë e rëndësishme për të mos thënë historike e kryeministrit shqiptar në Serbi, do të pasohet nga një vizitë e kryeministrit serb këtu. Do ti mirëprisnim qëndrimet për këto çështje, siç do të miërprisja një qëndrim një zëri sa i takon deklaratave të papranueshme të ministrit të Jashtëm rus se gjoja Shqipëria dhe Bullgaria kanë tendenca për të ndarë Maqedoninë mes vedi. Sepse jemi fqinj të mirë që duam stabilitet demokratik atje. Duam një Maqedoni multietnike dhe duam një Maqedoni që të futet sa më shpejt në NATO e BE në përputhje me standardet që kanë këto dy organizata”, tha Bushati.