
Drafti i arsimit të lartë vijon të hasë kundërshtime ndër radhët e akademikëve dhe jo vetëm. Në takimin e zhvilluar nga forumi për liri akademike dhe lëvizja e universitetit, kanë paraqitur pakënaqësitë e tyre pedagogë të Universitetit të Tiranës para komisionerit të qeverisë belge, Jan de Broof. Komisioneri belg për universitetin ka kundërshtuar 17 pika të draftit të arsimit të lartë. Ndërkohë, pedagogu Mark Marku është shprehur se ky ligj e cenon autonominë e universiteteve. “Së pari, ne e kemi konsideruar këtë ligj si një i tillë që nuk i zgjidh problemet e arsimit të lartë, nuk e reformon atë, e mbi të gjitha si një ligj që cenon rëndë autonominë e universiteteve. Kundërshtimet kryesore të Forumit kanë qenë për rolin dhe marrëdhëniet midis bordit dhe institucioneve të zgjedhura, si dhe për rolin shumë të madh që marrin agjencitë e krijuara nga qeveria në kontrollin e universitetit”, tha pedagogu Mark Marku. Komisioneri Jan De Broof ka deklaruar se ky projektligj duhet të ketë perspektivë europiane, por vëren se dokumenti më i rëndësishëm europian i periudhës kërkimore nuk përmendet fare. Komisioneri i qeverisë belge kundërshton nga ana tij rreth 17 nene të këtij projektligji. “Neni 2 thotë se qëllimi i ligjit është të krijojë një sistem të unifikuar mësimdhënieje në kërkime shkencore në institucionet e Arsimit të Lartë. Ky nen është tërësisht e kundërta e prirjes europiane. Duhet të përqendrohemi në krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës dhe transparent. Ideja është që sistemi i Arsimit të Lartë të jetë i diversifikuar dhe jo i standardizuar, pasi kjo pikëpamje do ta pengojë të ardhmen e sistemit të Arsimit të Lartë në Shqipëri. Një tjetër pikë, ndërkombëtarizimi i kontrollit të cilësisë nuk është i përfshirë aq sa duhet”, ka nënvizuar ai. Një tjetër pikë e draftit, e cila është kundërshtuar nga komisioneri belg është edhe ajo që ka të bëjë me autonominë e universiteteve. Sipas tij, as qeveria dhe as ministria nuk duhet të jenë autoriteti më i lartë, por vetë universiteti. “Neni 3 lidhet me lirinë akademike. Përkufizimi europian është më i gjerë, sesa është përfshirë në këtë projektligj. Këtu lë dyshime për autonominë. Po kështu, autoriteti më i lartë qeverisës nuk mund të jenë as ministritë dhe as shteti, por vetë universiteti”, tha prof. dr. Jan de Broof, president i shoqatës europiane për legjislacionin dhe politikat arsimore. Komisioneri i qeverisë belge për universitetet ka theksuar nga ana tjetër se, rektori i universitetit nuk duhet të emërohet nga Presidenti dhe se standardet për kontrollin e cilësisë duhet të jenë të përfshira në traditën universitare dhe jo të përcaktohen nga ministria. Drafti i propozuar nga ministria është kundërshtuar fort, pavarësisht ndryshimeve të herëpashershme që janë bërë.