Bylis, Nenaj: Skuadra ime më e “uritur” se Lushnja


Një ndeshje që vlen një sezon të tërë. Bylisi kërkon me çdo kusht rikthimin në Kategorinë Superiore pasi po zhvillon një sezon të çmendur. Merkatoja e shoqërisë gjatë muajit Janar ndryshoi tërësisht strategjinë e skuadrës ballshiote që tashmë e shikon veten vetëm një fitore larg objektivit për kualifikimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Trajneri Roland Nenaj është një prej njerëzve kyç të ecurisë pozitive të Bylisit gjatë vitit 2015 por tashmë skuadrën e tij e pret një finale në Lushnje ku fitorja është alternativa e vetme për të realizuar ëndrrën.
“Padyshim që është një ndeshje e fortë. Lushnja ka eksperiencë por ne kemi bërë një merkato të mirë dhe kemi në përbërje lojtarë të uritur për suksese që dëshirojnë të rikthehen në Superligë”. 
Për trajnerin e Bylisit, ndeshja duhet të drejtohet nga një gjyqtar i huaj sepse sipas tij, arbitrimi duhet të jetë neutral në një sfidë me një rëndësi kaq të madhe.
U kam kërkuar drejtuesve që të kërkojnë drejtimin e ndeshjes nga një arbitër i huaj. Shpresoj që të ndodhë kështu dhe le të fitojë më i miri”.
Nenaj ka një mesazh edhe për kolegun e tij Artan Bano.
Mesazhi im i vetëm është për një ndeshje fair play. Në fund të takimit duhet t’i japim dorën njëri-tjetrit”.
Por në një qytet të vogël si Ballshi ku të gjithë shpresojnë një fitore ndaj kundërshtarëve lagunarë, ka edhe një komunitet të vogël të lidhur ngushtë me Lushnjen. Ata janë tre futbollistët e rritur në rradhët e ekipit myzeqar, Kaloshi, Xhafa dhe Pepa.
Mikel Kaloshi: “Lushnja është qyteti jonë i lindjes por ne jemi pjesë e skuadrës së Bylisit dhe do të shkojmë në “Roza Haxhiu” për të fituar”. 
Për mbrojtësin Erion Xhafa, emocionet do të jenë të mëdha por gjatë 90 minutëshit ai premton një betejë të vërtetë sportive.
Erion Xhafa: “Lushnja është një ekip i fortë por ne jemi një ekip i fortë dhe shpresoj që në këtë sfidë fitorja të na buzëqeshë. Kur kemi luajtur me Lushnjen kemi dhënë maksimumin dhe të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe me fanellën e Bylisit”. 
Ndërsa, Brunild Pepa përqëndrohet te sfida me ish skuadrën e tij, duke shpresuar te fitorja.
Brunild Pepa: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe unë shpresoj që të triumfojmë dhe të shpallemi kampionë të Kategorisë së Parë”.