Barcelona është finalistja e parë e Ligës së Kampionëve 2014-2015. Pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë javën e shkuar, katalanasit humbasin 3-2 në ndeshjen e kthimit me Bajern Mynih, por gjithsesi arrijnë të dalin në finalen e tetë në historinë e tyre në një veprimtari të tillë.
Një gol i Benatias në minutën e 7-të ndez “Allianz Arenan”, por pastaj mendon Nejmar të përmbysë rezultatin me një dygolësh në minutat 15’ dhe 29’, duke bërë të heshtë tifozët bavarezë.
Në pjesën e dytë, Bajerni barazon dhe shënon golin e epërsisë respektivisht me Levandovskin (60’) dhe Mylerin (74’).
Tashmë Barça do të presë fituesen e çiftit Real Madrid-Juventus (luajnë nesër) për të njohur kundërshtarin e finales së Berlinit në 6 qershor.