Trafikohet 17 vjecarja, ne kekrim i "dashuri".


Një 17-vjeçare nga fshati Karbunarë i Lushnjës është trafikuar në Itali nga një person, i cili është shpallur në kërkim.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, por edhe nga komisariati i policisë së Lushnjës. Sipas këtyre burimeve, adoleshentja Matilda U. ka dalë nga banesa e saj në orën 07:00 të së mërkurës për të shkuar në shkollë, por nuk është kthyer më. Ka qenë babai i saj, Kujtimi, ai që ka denoncuar në polici zhdukjen e së bijës.
“Vajza u nis për në shkollë si çdo ditë tjetër. Ne pritëm që ajo të kthehej në mesditë në shtëpi. U shqetësuam shumë për vonesën e saj. I telefonuam, por nuk morëm përgjigje. Rreth orës 22:00, humba durimin dhe denoncova”, është shprehur babai i 17-vjeçares. Menjëherë pas denoncimit, blutë nisën hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se Matilda U. kishte pak kohë që kishte nisur një lidhje sentimentale me një djalë nga Lushnja, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije për arsye hetimore.
Burimet e mësipërme sqaruan se, pas kontrollit në sistemin TIMS, ka rezultuar se pasditen e së mërkurës, 17-vjeçarja është larguar drejt Italisë. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se vajza është dërguar në vendin fqinj me qëllim prostitucioni. Kjo është edhe pista kryesore e hetimit të policisë së Lushnjës. Mësohet se 17-vjeçarja nuk ka bërë denoncim, për mashtrim me qëllim trafikimin e saj për prostitucion. Çështja është nën hetim, ndërsa personi që e ka nxjerrë jashtë kufijve adoleshenten është shpallur në kërkim.
fieri.com