Në mes të Mallakastrës së Butë

Azotiku i Fierit duket si i përgju nën shiun e "vjeshtës së dytë", që vazhdon të bjerë pareshtur. Në Qafën e Koshovicës makina jonë lë pas rrugën Fier-Vlorë dhe merr majtas përmes disa kodrave fare të buta. Një
fshatar me kosore ka përfituar nga një "armëpushim" i shkurtër i shiut dhe ka dalë shpejt e shpejt që të kryejë punët e tij. E pyesim se sa mban që këtu e deri në Cakran. 40 minuta", na përgjigjet, pasi u ka hedhur një vështrim të shpejtë gropave të rrugës. Më vonë, pasi ta kemi hequr vetë e pasi të kemi takuar miqtë tanë, do të mësojmë se kjo rrugë është njëra prej telasheve më të mëdha të Komunës së Cakranit, ose të Mallakastrës së Butë, sikurse është quajtur jetë e mot.
Meqë ra fjala, gjithsekush mund të pyesë se përse këto anë quhen Mallakastër e Butë dhe jo e Egër sikurse quhen zonat ca më tutje, andej nga anët e Ballshit, Hekalit, a Çorrushit? Përgjigjet që kemi marrë gjatë qëndrimit tonë të shkurtër në Cakran kanë shkuar që nga natyra më e butë e këtyre anëve, te qëndrimet dhe mënyra e komunikimit "çoç më të zbutura" e deri te zakonet e të pirit të rakisë. Ka shumë mundësi që ajo puna e natyrës dhe e relievit më të butë t'i ketë vënë emrin krejt vendit.
Te "Gurët e Zez" Eshtë e enjte, ditë pazari këtyre anëve. Fshatarë nga e gjithë zona - krejt komuna ka 13 fshatra dhe një sipërfaqe prej 100 kilometrash katrorë - mbërrijmë në qendër të fshatit për të bërë tregti, por edhe për t'u takuar me njëri-tjetrin. Përzihemi edhe ne disa kohë mes njerëzve që reklamojnë mjaltin apo "kaposhët" e tyre. Këtu nuk na ngjan shumë se jemi në një fshat. Më shumë na duket vetja si në ato pazaret e periferive në qytetet tona të mëdha, ku nuk mund të dallosh më cili është shitësi dhe cili është blerësi, cili është qytetari dhe cili fshatari. Një turmë laramane sillet vërdallë duke u shtyrë e bërë potere si në çdo pazar të botës. Por shiu ka vendosur të mos i lërë të qetë njerëzit sot, qoftë edhe në ditë pazari. Një rrebesh i egër që nis sakaq, i largon njerëzit nga qendra e fshatit. Brenda pak minutash kemi mbetur vetëm ne, rrëketë e shiut dhe një grup njerëzish të lagur, të strukur nën strehët e lokaleve. Në qendër takojmë Vladimir Korçarin, djalë i këtyre anëve. Këto takimet me kryetarët janë disi të sikletshme. U ndruhemi shifrave, tabelave, gjuhës së rëndë të burokracisë, vështrimit zhbirues dhe qëndrimit të ngrirë, por "Ladi", sikurse nisim ta thërrasim shumë shpejt, na e bën punën më të lehtë. Nuk është nga ata që rri i ngrefosur. "Ku donit të shkonit?" - është pyetja e tij e parë.
Pas Ladit miqësohemi edhe me Rizain, mësues i informatikës në shkollën e mesme. Vetëm më vonë do të mësojmë se "Xakja" është edhe kryetar i Këshillit të Komunës. Me një fjalë, që në fillim një sukses e kemi arritur, i kemi shtuar vetes dy shokë. Si fillim, jo keq. Bashkë me Ladin dhe Xaken marrim të dalim nga fshati. Një rrugë, a më mirë me thënë, një xhade, nis të lartësohet që në fillim. "E ka hapur vetë komuna kohët e fundit", na thonë miqtë. Rruga është "vithisur" vende-vende nga rrebeshet e ditëve të fundit, megjithatë, pas nja njëzet minutash, arrijmë në majë të një kodre diku 500 metra të lartë. Këtij vendi vendasit i thonë "Gurët e Zez", ndër libra e kemi hasur "Gurëzezë". Nuk është aspak e vështirë të dallosh mbetjet e një fortifikimi antik. Në mes të pyllit me pisha, një mur i gjatë, mbi të cilin mund ecë edhe makina jonë 4x4, zgjatet deri poshtë. Pak është gërmuar në këto rrënoja. Neritan Ceka, njohës i mirë i këtyre anëve, pat hedhur mendimin se këtu kemi të bëjmë me një qendër të rëndësishme ilire të shekujve IV-II para Krishtit, mbase një nga ato qytetet që përmenden ndër tekste antike, porse nuk janë gjetur kurrë se ku janë, mbase edhe vetë qendra e mbretit ilir Monun, një njeri që arriti të mbretërojë edhe në Durrësin e paarritshëm deri në atë kohë. Në 1978, një mësues historie, i apasionuar pas arkeologjisë, i pat mrekulluar arkeologët kur trokiti në portën e tyre duke u dorëzuar më shumë se 2500 monedha bronzi, më të shumtat nga Apollonia.
Nxënësit e tij i kishin gjetur poshtë rrënjëve të një lisi. Në majë të kishës është një vend shumë i nderuar për banorët e këtyre anëve. Ata e quajnë "Teqeja e Baba Refatit", porse ky vend s'është gjë tjetër veçse një ngrehinë e vogël, ku prehen eshtrat e klerikut të nderuar bektashi. Mbi të valon, ndonëse i lagur fort, flamuri shqiptar. Miqtë na thonë se çdo pranverë këtu organizohet një festë e madhe, ku vinë nga të gjitha anët e vendit. Festa duhet të jetë vërtet e rëndësishme, sepse në mes të sheshit shohim një vrimë të madhe me një goxha tub, që përdoret për të larguar gjakun e kurbaneve nga sytë e besimtarëve dhe festuesve. Në krah të vendit të shenjtë të bektashinjve, fare ngjitur, janë krejt të dallueshme rrënojat e një kishe. Absida, harku i njohur, është shumë i dallueshëm. Duket se në disa pika janë bërë gërmime njohëse. Na duhet të zbresim ca më poshtë majës së kodrës, që të kuptojmë domethënien e emrit të këtij vendi. Dy gurë, me thënë të drejtën jo edhe aq të zinj sa prisnim, janë ngulur fort në tokë. Duket sikur dikush i ka vënë me dorën e tij në atë shpat të mbushur me pisha. Banorët e këtushëm e quajnë si një "shenjë të dërguar nga Zoti" ekzistencën e tyre të veçuar. Mbeturinat e qirinjve, që kanë ndezur besimtarët në këmbë të tyre, janë ende aty.
Në këmbët tona shtrihet fusha e Cakranit, një hambar i vërtetë. "Atje përtej do të kalojë rruga e re Fier-Vlorë - bën me dorë Ladi - një gjë e madhe për krejt zonën. Neve na vjen vetëm 900 metra afër. Por ç'e do rruga nga Qafa e Koshovicës e këndej ka nisur të prishet dhe nuk po bëhet asgjë. Ishte disa kohë si prioritet i Këshillit të Qarkut, sepse ajo e ka në ngarkim, por pastaj u la. Sikur të ishte rregulluar edhe ajo, atëherë punët do të kishin vajtur shumë mirë". Në lagjen e braktisur Në kthim shiu e ka zënë shtruar. Rrugës hasim ndonjë bari të lagur, apo ndonjë fshatar që mezi e shtyn mushkën e tij përmes rrugës së përbaltur. Bashkë me Ladin mbërrijmë në Sulaj. Kjo është lagjja e epërme e fshatit. Duhet të ketë qenë një fshat fort i bukur Cakrani i vjetër. Një radhë shtëpish krejt të gurta, me disa oborre të rregullta, me pjergullën e kudondodhur, me portat e drunjta zbresin ngadalë poshtë faqes së një kodre të butë. Këtu ka qenë dikur një lagje shumë e populluar, njëra nga më të rëndësishmet dhe më të begatat në krejt zonën. Uji, klima, panorama dhe ajri i mrekullueshëm kishin bërë që pasardhësit e ilirëve të "Gurëve të Zez" të jetonin me shekuj në këtë vend. Poshtë ishte fusha, një hambar që nuk mbaronte kurrë. Por pastaj erdhi koha e zbritjes poshtë, sa më afër xhadesë e qytetit. Tokat që u ndanë me "7501"-in e shumëdiskutuar nuk u përdorën më për t'u mbjellë, por për të ndërtuar shtëpi. Kështu nisi të zmadhohej Cakrani i fushës dhe të mpakej Cakrani i kodrës, deri sa Sulaj u shndërrua në një grumbull shtëpish të braktisura.
Bashkë me Ladin sillemi një herë rrotull shtëpive të gurta, duke u munduar t'i shpëtojmë shiut. Një heshtje e thellë sundon mbi lagjen e vjetër. Neve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të mundohemi të përfytyrojmë se si ka qenë jeta dikur në këtë faqe kodre. Ja këtu nis asfalti", Ladi i njeh fare mirë rrugët e fshatit që komuna ka shtruar këtë vit. Kemi mbërritur në qendër. Bëjmë ca pushim sa të thajmë teshat e qullura. Në shkollë me drejtorin sportist Dikush prej nesh i ka disa kujtime nga këto anë. Kur ka qenë djalë fare i ri, student bashkë me Genc Pollon, ka qëndruar një muaj këtu në një ekspeditë arkeologjike që drejtohej nga Neritan Ceka. Asokohe gërmohej në Mashkjezë, një vendbanim i stërlashtë (i shekullit VII para Krishtit) që nuk arriti kurrë të shndërrohej në qytet të mirëfilltë antik. Me sa duket krejt fatin e tij e mori qyteti që dikur ndodhej te "Gurët e Zez". Grupi i arkeologëve, sikurse ndodhte rëndom kudo, flinte në shkollën e fshatit. Dy krevate portativë në klasën e mbushur me banka të hedhura i kujtohen atij fare mirë. Kështu që një vizitë në shkollën e Cakranit është një rast i mirë për ta ndjerë edhe një herë veten të ri, njësoj si para 25 vjetëve. Porse tashmë asnjë shenjë nuk ka mbetur nga shkolla e vjetër e ulët. Në vend të saj ngrihet një ndërtesë e lartë, një shkollë që të kujton më shumë qytetin se sa fshatin. Në Cakran mezi presin që të festojnë 100-vjetorin e shkollës së parë shqipe.
Në nëntorin e 1908-ës një mësues elbasanas, i ardhur nga Amerika, Thanas Floqi, i dha udhë një historie të gjatë shkollimi në Mallakastrën e Butë. Flisni me zë të ulët". Një tabelë e ngjitur në korridor e bën edhe më të zhurmshmin prej nesh që të heshtë. Në shkollë na pret Ferik Korçari, drejtori. E dallojmë menjëherë që është tip sportiv. Një foto e madhe e një ekipi futbolli qëndron pas tij në zyrë. "Eshtë ekipi i Cakranit - Feriku preket kur kujton atë kohë - shikojeni, ky këtu jam unë, kam luajtur edhe qendërsulmues edhe qendërmbrojtës. Pastaj kam qenë zëvendëstrajner. Kemi pasur ekip të mirë. Si fshat që ishim xhanëm. Por tani futbolli është bërë i vështirë, shumë i vështirë...". Feriku bën "zakonin e shtëpisë", bisedon ca kohë me shoferin tonë - tip shumë sportiv edhe ky - për disa ndeshje të Ligës së Kampioneve dhe kërkon leje të largohet. Ka mësim dhe mësimi është i pari, pastaj vjen sporti. Nënë Tato dhe "shokët" Myfit Nexhipi është mësues i vjetër. Në fakt është mësues e shkrimtar. Ka botuar katër libra. Në çdo pasthënie shënon thjesht: "Kam lindur në Cakran në 1944. Jetoj në Cakran". Historia e tij është historia tipike e jetimit që çan me forcën e krahëve të tij. "Babai im ka vdekur në 1948, kur isha vetëm katër vjeç - tregon - mbaj mend se kur isha i vogël në shtëpinë tonë banonin mësueset e shkollës së fshatit. Që asokohe më hyri dëshira për të mësuar.
Dëshira ime e parë ka qenë të shkoja në Politeknikum, por kjo nuk u realizua. Pas shumë 'aventurave', duke u përpjekur fare vetëm, më në fund me ndihmën e të nderuarit Faik Ahmeti, njeri i yni, kam mbaruar Normalen e Elbasanit dhe pastaj Institutin Pedagogjik në Shkodër për Gjuhë- Letërsi. Kam punuar më pas për shumë e shumë vjet si arsimtar deri sa dola në pension. Tani shkruaj e lexoj. Sapo kam botuar historikun e shkollës sonë deri në 1944 dhe kam gati pjesën e dytë. Kështu shkon jeta ime". Neve bëjmë një gabim. Në krah të Myfitit, një plakë e imët, shumë simpatike, dëgjonte bisedën pa ndërhyrë, vetëm duke vënë herë pas here buzën në gaz, ose duke tundur kokën me dëshpërim. Varej nga tema e bisedës. Eshtë Tato, nëna e Myfitit. Gabimi ynë ishte se guxojmë e pyesim: "Sa vjeç vajte nëno?" Në fakt, zonjat nuk pyeten dhe nëna e zgjuar e gjen përgjigjen. "Eh, ç'ke me mua! Jam aq vjeç sa që jam bërë gati me kohë të shkoj te shokët". Me "shokët" nënë Tato - e datëlindjes 1915 - ka parasysh ata të brezit të saj që nuk jetojnë më. Me nënën e zgjuar kujtojmë ca histori të vjetra, me vuajtje, me luftëra e djegie, me uri e skamje, por edhe me ndihmë të ndërsjellët. Familja ku jemi ka qenë e fundit që ka hyrë në kooperativë.
Jo se nuk ishte dakord. Vetë të parët e fshatit të atyre kohërave e kishin lënë familjen me jetimë që të shfrytëzonte sa më shumë të mirat që jepte jeta jashtë kooperativës. Teksa ndahemi, mikpritësit tanë na lëshojnë në dorë një qese me shegë erëmirë. Eshtë një erë që na ndjek pas deri sa hyjmë në rrëmujën e zakonshme të Tiranës. Që kur njerëzit dolën nga shpellat Ka periudha kur pesëqind vjet duken sikur janë fare pak. Stu diuesit e prehistorisë janë shumë të lumtur sikur t'i jenë afruar të vërtetës me një gjysmëmijëvjeçari. Kështu ka ndodhur edhe në rastin e Cakranit. Andej nga fundi i viteve '60 dhe fillimi i '70-ës në një vend të sheshtë, i cili jo më kot quhej Thikëz, u zbuluan thika të vogla prej guri, sëpata, pjesë qeramike të vrazhda dhe shenjat e disa banesave gjysmënëntokësore. Arkeologët e mrekulluar këtë gjetje e cilësuan si "kultura e Cakranit" dhe e datuan aty 6 mijë vjet përpara. Ishte periudha kur njerëzit, të nxitur edhe nga zbutja e klimës, i lanë shpellat ku kishin jetuar jetë e mot dhe u vendosën poshtë në fushat anës lumenjve. Ishte koha kur njerëzia nisën të shndërroheshin nga gjuetarë shëtitës, në bujq e blegtorë.
Që asokohe paska nisur jeta në këto kodra të buta që zbresin dalëngadalë drejt Vjosës. Mallakastriotët e kësaj ane mund të mburren me plot të drejtë. Këto anë janë banuar pa ndërprerje që 6 mijë vjet më parë. Një kodër, jo edhe fort e lartë, në anën lindore të Cakranit u pat bërë përshtypje arkeologëve. Vendasit e quanin "Qyteza". Neritan Ceka, i cili pat gërmuar këtu, zbuloi se rrënojat i përkisnin një qendre paraqytetare shumë të vjetër, të shekujve VII-VI para Krishtit, një lloj fshati i fortifikuar, që synon të shndërrohet në qytet. Duket se muret në majë të "Qytezës" nuk arritën kurrë të rrethonin një qytet. Mëria romake në shekullin II duket se i ka dhënë një goditje të rëndë banorëve të saj. Gjatë gërmimeve u gjetën shumë mbetje drithërash dhe banesash të djegura. Nganjëherë shenjat e zjarrit ruhen me mijëra vjet. Krejt afër, mbi një kodër 500 metra të lartë, në vendin që quhet Gurëzezë, duket se ka ekzistuar një qytet i mirëfilltë me shenja muresh, që ruhen ende, të cilat rrethojnë një sipërfaqe prej 23 hektarësh.
Arkeologët thonë se këtu kemi të bëjmë me një qytet ilir, që ka lulëzuar në shekujt IV-I para Krishtit. Ceka dhe Muço, dy arkeologë që janë marrë gjatë me historitë e vjetra të këtyre anëve, mendojnë se kemi të bëjmë me një qendër të rëndësishme, mbase me vetë qendrën e mbretit ilir Monun. Pikërisht këtu në 1978 nxënësit e Cakranit gjetën një nga thesaret më të rëndësishme në Shqipëri: 2500 monedha antike të Apollonisë, Durrësit dhe të Greqisë antike u gjetën në anë të një lisi të vjetër. Pastaj, këtyre anëve kaluan rrebeshet e shumta të njohura, bizantinët, normanët, kryqëzatat, sllavët derisa erdhi sundimi osman. Mendohet se Mallakastra është myslimanizuar në pjesën e saj më të madhe në shekullin XVI. Historia e saj vazhdon me shekuj pa u ndjerë shumë, e varur në shumicën e rasteve nga qendra e madhe administrative Berati.
Ndonjë prijës popullor si Alush Cakrani, apo Veiz Cakrani, shfaqet heraherës në përpjekjet e shumta që shqiptarët vazhduan të bëjnë me pushtuesit shekullorë, por duket se në përgjithësi jeta këtyre anëve të begata ka shkuar për shumë kohë pa e ndryshuar rrjedhën e saj. Po ato ujëra që rrjedhin nga kodrat, po ato toka të begata, po ajo klimë e mbarë. Në lëvizjen për Pavarësi dallohet një emër kryesor: Bektash Cakrani, beu i zonës. Ky është një nga firmëtarët e Aktit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. "Ismail Qemali, kur shkonte nga Vlora në Fier, kalonte këndej, kjo ishte rruga më e sigurt asokohe. Madje edhe ka fjetur në Cakran disa herë", këtë fjali do t'ua përsërisin me shumë krenari cakranjotët e vjetër. Beu i Cakranit përmendet edhe herë të tjera në ngjarjet e trazuara që rrodhën më pas, në Kongresin e Lushnjës, në Luftën e Vlorës, në përmbysjen e qeverisë në 1924, në Kryengritjen e Fierit në 1935 dhe deri në Luftën e Dytë Botërore, kur komunistët bëhen kundërshtarë me të. Se ç'ndodhi më pas këtyre anëve mund të merret me mend lehtë.