Mrekullite e gjenerates “5G” per Smartphonet.

Revolucioni i shpallur në rrjetet celulare: teknologjia 5G do t’u mundësojë smartfonëve dhe tabletave të shkëmbejnë të dhëna me shpejtësi, që deri tani për ne është e paimagjinueshme.
Në të ardhmen e afërt, rrjetet celulare mund të jenë kaq të shpejtë sa të përballojnë shkarkimin e ekuivalentit të 10 filmave në më pak se një sekondë. Hulumtuesit në Universitetin e Surrey, Angli, pohojnë se kanë arritur shpejtësinë rekord të 1 terrabit për sekondë (Tbps) në eksperimentet e tyre mbi rrjetin e brezit të pestë (5G). Mijëra herë më e shpejtë se rrjeti internet që disponojmë aktualisht në smartfonin tonë.
Kalimi nga 4G në 5G
Teknologjia aktuale 4G, në teori lejon për të lundruar dhe për të shkëmbyer të dhëna me një shpejtësi deri 100 megabitësh për sekondë (Mbps), edhe pse performanca varet nga një seri parametrash të tjerë. Në laboratorët e Qendrës së 5G Innovation (5GIC) të Surrey kanë “shpartalluar” çdo pritshmëri: vlerësimet më bujare parashikojnë faktin se 5G do të arrinte një shpejtësi transmetimi deri 50 Gbps (gigabit). “Ne kemi dhjetë projekte në zhvillim. Ne njërin arritëm në 1 Tbps”, deklaroi drejtori i 5GIC, Rahim Tafazolli, që në faqen web mbi teknologjinë V3 theksoi se “është e njëjta cilësi si me fibra optike, por me valë wireless”.
Testimi është kryer duke vendosur një “marrës” dhe një “transmetues” në një distancë prej 100 metrash, që të dy të zhvilluar nga grupi britanik. Shkarkimi i të dhënave ishte 65 mijë herë më i shpejtë se ai i përfituar mesatarisht me rrjetin 4G.
Rrjeti i së ardhmes
Për të replikuar këto shifra rekord në shkallë të gjerë do të duhet ende pak kohë. Eksperimentet e ardhshme do të fokusohen në shpejtësinë e reagimit të sistemit dhe mbi besueshmërinë e tij, me synimin për të implementuar 5G brenda kampuseve universitare brenda dy viteve. Dhe nëse gjithçka shkon mirë, smartfonët në mbi gjysmën e botës do të mund të gëzojnë këtë performancë në vitin 2020, ose të paktën këtë synon ekipi i “5GIC”.
Ujë dhe ajër
Me rritjen e shërbimeve të streaming audio, video dhe lojëra, ka një kërkesë në rritje për shkarkimin e përmbajtjeve nga interneti, ndërsa disponueshmëria dhe qasja në përmbajtje ngre zërin për çështje aktuale të tilla si demokracia në internet dhe neutraliteti. Përveç kësaj, vlerësimet dhe parashikimet sugjerojnë që brenda pak vitesh, 97% e trafikut të të dhënave do të shkojnë përmes pajisjeve mobile dhe ne jemi në prag të epokës “wearable” (teknologji që vishet), të cilat gjithashtu kërkojnë bandwidth dhe shpejtësi shtesë. Dhe e gjithë kjo është për të konfirmuar se, në qoftë se interneti është konsideruar një e mirë publike ashtu si uji, teknologjia si 5G dhe wi-fi hiper e shpejtë duhet të konsiderohet si ajri.