Ballshi, një qytet që po nis të shuhet




Banorët dhe tregtarët e qytetit të naftëtarëve, në frikë për të ardhmen e tyre

EDMOND HOXHAJ
Hapja e superstradës Levan-Damës, veç faktorëve pozitivë, duket se ka sjellë edhe pasojat e saj negative. Dhe kjo për vetë faktin se kjo superstradë anashkalon gati një krahinë të tërë, Mallakastrën. Por, këto pasoja negative duket se po i vuajnë më shumë tregtarët dhe banorët e qytetit të Ballshit. Duke qenë qendër administrative e rrethit të Mallakastrës, si dhe për shkak të ndërtimit të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në periferi të këtij qyteti, popullsia aty ka ardhur gjithmonë në rritje. Tashmë qyteti i Ballshit numëron më shumë se 15 mijë banorë, të cilët kanë nisur të ndihen të lënë në harresë edhe pse kanë kaluar vetëm tri javë që nga inaugurimi i superstradës. Ndërsa të ardhmen e tyre, të fëmijëve dhe të qytetit, e shikojnë të zymtë. Por, ata banorë tashmë po përballen me dy sfida. Veç anashkalimit nga rruga e re, ata i druhen edhe falimentimit të uzinës. Duket se “vrasësi” i ngadaltë i tyre, uzina që me ndotjen e saj ua shkatërron pak e nga pak përditë shëndetin, është në të njëjtën kohë edhe burimi i jetës, që i ka ushqyer për dekada me radhë. Në këtë qytet industrial, asnjëherë nuk ka qenë kaq i thellë pesimizmi. Të gjithë druhen për sigurinë e të ardhmes së tyre, por pjesa më e madhe heshtin, pasi nuk duan të besojnë se gjërat po shkojnë për keq.
Për të shkuar në qytetin e Ballshit, duhet të udhëtosh në rrugën nacionale Fier-Gjirokastër. Rreth 26 kilometra larg qytetit të Fierit, pas dhjetëra gjarpërimesh nëpër kthesa në asfaltin me gropa e të çara, mbërrin në qytetin e naftëtarëve. Duhen rreth 35 minuta për të arritur Ballshin që prej qytetit të Fierit, por një këmbësor, më shumë kohë harxhon në pritjen e gjatë pranë furgonit taksi, që nuk është e kollajtë të mbushet me pasagjerë. Madje, gjatë dy javëve të fundit, që prej hapjes së superstradës Levan-Damës, të duhet të presësh edhe më shumë, pasi një pjesë e qytetarëve që banojnë në fshatrat e Mallakastrës së Sipërme, tanimë preferojnë të udhëtojnë në rrugën e re. Por, teksa udhëton vëren edhe diçka pozitive, trafiku i rënduar në rrugën e vjetër nacionale mungon. Nuk shfaqet asnjë autobus apo kamion i tonazhit të rëndë. Janë vetëm autoveturat familjare, banorë të fshatrave të krahinës së Mallakastrës dhe atyre të Fierit, si dhe furgonët e pasagjerëve. Teksa udhëton, para restoranteve dhe pikave të karburanteve që ndodhen buzë rrugës nacionale, shikon persona të shqetësuar dhe nervozë. Pasi ndalojmë pranë një pike karburanti, ku ndodhet një ndërtesë pesëkatëshe ku ka edhe shërbim restoranti, e prezantohem si reporter i gazetës “Shqip”, nervozizmi i personave që qëndrojnë aty rritet edhe më shumë, ndonëse duket qartë se mërinë nuk e kanë me ne. Pyetjes se a ka pasur ndikim në biznesin e tyre hapja e superstradës Levan-Damës, ata i përgjigjen shkurt dhe prerë. “Jemi këtu disa vëllezër, ortakë në këtë biznes dhe me të u bëjmë ballë nevojave të familjeve tona. Kemi dy javë që nuk arrijmë të nxjerrim më shpenzimet për të mbajtur biznesin dhe jemi duke diskutuar për ta mbyllur ose jo. Nëse vazhdon kështu, patjetër që do të detyrohemi ta mbyllim”, shprehet një prej vëllezërve, por asnjë prej tyre nuk preferon të identifikohet. Vazhdojmë udhëtimin dhe ndërsa i afrohemi hyrjes veriore të qytetit të Ballshit, ajo që vërehet menjëherë është boshatisja e rrugës automobilistike nacionale si kurrë më parë. Madje edhe në kryqëzimin kryesor, ku ndërthuren me njëra-tjetrën rruga nacionale me segmentin që të çon drejt KPTHN-së, aty kur dikur trafiku ishte mjaft i rënduar, autoveturat kalojnë rrallë, duke iu lehtësuar lëvizjen këmbësorëve.
Kanë kaluar vetëm tri javë që prej inaugurimit të rrugës së re dhe ky qytet që përshkohet mes për mes nga rruga e vjetër automobilistike nacionale, ka nisur të marrë imazhin e vendbanimeve të dikurshme urbane të Perëndimit të Vjetër të SHBA-së, që paraqiten në filmat “Western” të “Hollyvood”-it. Tregtarët e pikave të shumicës, si të materialeve të ndërtimit dhe të produkteve ushqimore shprehen pesimistë për ardhmërinë e bizneseve të tyre. Mjaft prej tyre shprehen se është ndier menjëherë rënia e xhiros ditore gjatë këtyre tri javëve. Dhe të gjithë japin pak a shumë të njëjtat shifra. Sipas pjesës më të madhe të tregtarëve të pikave të shumicës gjatë këtyre tri javëve është shënuar një rënie prej rreth 20% e xhiros së dikurshme ditore. Dhe këtë gjë, ata ia atribuojnë shmangies së qytetit të Ballshit nga rruga e re nacionale. “Që ditën e parë është ndier ndikimi negativ që ka sjellë për ne hapja e superstradës Levan-Damës. Kemi rreth 20% rënie të punës. Shpresojmë që kjo rënie të mos thellohet, ndryshe jemi të falimentuar”, u shpreh për gazetën z. Sokol Ismaili, një tregtar i materialeve të ndërtimit. Ndërkaq, një sipërmarrës i një agjencie udhëtimi, Dritan Dervishi sqaroi për gazetën “Shqip” problematikat që i kishin lindur me hapjen e superstradës së re. “Kemi rreth dy javë që pasagjerët që duan të udhëtojnë drejt Greqisë i shoqërojmë me mjetet tona deri në Fratar. Shpenzimet na janë rritur duke na rrezikuar mbijetesën e biznesit, duke mos përmendur edhe faktin se jetojmë në kohë krize ekonomike. Nuk dimë sesi do të vazhdojmë në të ardhmen. Gjithçka duket e mjegullt dhe shpresojmë që të ketë një zgjidhje pasi tani ndihemi si të lënë pas dore”. Ky shqetësim është ngritur edhe nga mjaft banorë të tjerë të qytetit të Ballshit. “Na lanë pas krahëve. Qyteti i Ballshit ka më shumë se 15 mijë banorë. Tani nuk kalon më asnjë autobus apo furgon i linjave ndërurbane. Që të shkojmë në Tiranë apo në Gjirokastër jemi të detyruar të shkojmë më parë në Fier ose në Fratar”, shprehet Halil Hasani, një i moshuar, banor i këtij qyteti. “Bashkë me bashkëqytetarë të mi po mendojmë t’i shkruajmë një letër qeverisë që të na ndihmojë me mjete transporti. Të paktën të vendosin një linjë urbane që të na çojnë në Fratar apo në Fier”, vazhdon më tej ai. Ndërkaq, të tjerë qytetarë shprehin shqetësimin se tashmë qyteti i tyre do të lihet në harresë.
Gjithashtu, frikë dhe panik te qytetarët e Ballshit ka hapur edhe lajmi i fundit se kompanisë “ARMO”, që zotëron KPTHN-në, Gjykata e Tiranës i ka vendosur një sekuestro konservative për shkak të një borxhi të pakthyer prej 75 milionë eurosh. Qytetarët e Ballshit prej dekadash kanë mbijetuar nga kjo uzinë, ku çdo familje ka pasur dhe ka të paktën një person të punësuar. Tani ata ndihen të pasiguritë për të ardhmen e tyre. “Me hapjen e rrugës së re qyteti ynë ka ngelur i mënjanuar dhe tregtia nuk do të sjellë më fitime, pasi banorët e disa fshatrave të krahinës sonë shkojnë më lehtë në Fier. Me sa duket edhe uzina është drejt mbylljes. Që gjërat nuk shkojnë mirë në uzinë kjo dihet prej kohësh se punonjësit i marrin pagat gjithmonë me nga dy ose tre muaj vonesë. Po u mbyll edhe uzina, qyteti ynë do të shuhet pak e nga pak”,-ka pohuar për gazetën D. Shehaj një banor i qytetit të Ballshit. Ndërkaq, gjatë këtyre ditëve janë hasur me një situatë të vështirë gjithë pikat e karburanteve dhe restorantet e lokalet që ndodhen përgjatë rrugës së vjetër nacionale që përshkon mes përmes Mallakastrën. Pjesa më e madhe e tyre, ku ishin të punësuar qindra persona janë duke falimentuar. Sipas vetë pronarëve, mundësia më e madhe për ta është të mbyllin aktivitetet që kanë qenë të suksesshme prej 20 vitesh.


Banorët dhe tregtarët e qytetit të naftëtarëve, në frikë për të ardhmen e tyre

Kryebashkiaku Çela: Mallakastra u la pas krahëve

Lidhur me pasojat që ka sjellë për qytetin e Ballshit, por edhe për dhjetëra fshatra të tjerë, kalimi i superstradës së re përgjatë luginës së Vjosës, ka mbajtur qëndrim edhe kryebashkiaku, z. Ilir Çela. Ai ka pohuar se anashkalimi i qytetit të Ballshit ka sjellë pasoja negative për dhjetëra mijëra banorë, duke i lënë ata në harresë. “Me kalimin e rrugës nacionale përgjatë luginës së Vjosës, gati gjithë Mallakastra është lënë pas dore, është hedhur pas krahëve. Pjesa më e madhe e popullsisë ka qenë e përqendruar përgjatë rrugës së vjetër nacionale. Lënia në harresë e një krahine të tërë është jo e menduar mirë”, theksoi Çela. Më tej ai shtoi se qeveria nuk ka asnjë plan rehabilitimi lidhur me këtë anashkalim që i është bërë qytetit të Ballshit dhe mjaft fshatrave të tjerë të Mallakastrës. “Nuk ka asnjë projekt për kompensimin e dëmeve që i shkaktohen këtyre komuniteteve. Në këto kushte që po krijohen mjaft biznese po shkojnë drejt falimentimit”, përfundoi kryebashkiaku Çela.


Intervista

Historiani Qemal Isufaj shpjegon fillesat e krijimit të qytetit

Ballshi gjatë mijëvjeçarëve
Qemal Isufaj është një prej historianëve më të spikatur të qytetit të Ballshit. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shqip” ai shpjegon fillesat e këtij qyteti dhe vazhdimësinë e tij ndër shekuj.
Zoti Isufaj, kur nisin fillesat e qytetit të Ballshit? A ka lidhje ky qytet me atë antik të Bylisit?
Ballshi u krijua pas rënies së qytetit antik të Bylisit, në shekullin e VI të erës sonë. U quajt Gllavenicë e më pas Ballsh. Më vonë kjo qendër banimi mori zhvillim ekonomik e kulturor, duke u bërë qendër e rëndësishme administrative peshkopale. Më pas qendra e banimit të Ballshit mori një zhvillim më të vrullshëm në shekullin e IX-X të erës sonë.
Po gjatë Mesjetës, a ka mundur të mbijetojë kjo qendër banimi?
Në një dokument të vitit 1019 Gllavenica përmendet si qendër administrative e krahinës që përmblidhte gjithë fshatrat që nga Shpiragu e deri në Vlorë. Por, gjatë sundimit turk edhe Ballshi e humbi rëndësinë e tij dhe në fillim të shekullit XX ishte kthyer në një fshat të vogël. Qendra administrative e Mallakastrës ka ndryshuar disa herë gjatë shekujve. Kështu, si qendër e kësaj krahine ka qenë edhe Cakrani, Hekali dhe Selishta. Por në vitin 1914 u vendos sërish si qendër e Mallakastrës, Ballshi. Deri në vitin 1939 u ngritën disa ndërtesa për administratën, si dhe disa dyqane tregtare e zejtarie. Në vitin 1913 u çel edhe shkolla e parë shqipe në këtë qytet.
Mund të na tregoni se si u zhvillua Ballshi pas Luftës së Dytë Botërore?
Qyteti i Ballshit doli i dëmtuar nga Lufta e Dytë Botërore. Për këtë arsye, fillimisht u ndërtuan baraka ku nisi punën administrata. Më pas i rindërtuan godinat ku u vendosën stafet e administratës. Në këtë kohë Ballshi ishte i ndarë në dy pjesë, Ballshi Fshat me rreth 40 shtëpi dhe pjesa urbane ku ndodheshin kryesisht zyrat dhe dyqanet e tregtarëve e të zejtarëve.
Kur mori zhvillim kjo qendër banimi?
Qyteti i Ballshit u zhvillua kur në pellgun e kësaj zone, në Visokë, Kash, Drenovë, Hekal, Gorishovë, Gorrisht, Cakran etj., u zbuluan rezervat e naftës. Pas hapjes së puseve të naftës nisi të ndërtohet në periferi të qytetit edhe Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës. Ndërtimi i uzinës nisi në vitin 1970 dhe përfundoi në vitin 1978. Si pasojë, në qytetin e Ballshit pati një rritje të popullsisë. Në vitin 1974, Ballshi u deklarua qytet. Brenda pak vitesh u ndërtuan disa ndërmarrje të tjera, si fabrika e frutave dhe e vajit, stacioni hekurudhor, SMT-ja, spitali, tri shkolla të mesme, Pallati i Kulturës, biblioteka, stadiumi e të tjera vepra të rëndësishme për jetën dhe zhvillimin e këtij qyteti. Për shkak të ardhjes në këtë qytet të qindra e mijëra punëtorëve, specialistëve dhe inxhinierëve të naftës, gjithçka u ndërtua në një kohë rekord. Në uzinën e Ballshit u punësuan fillimisht 1900 specialistë të përpunimit të thellë të naftës, të ardhur nga Fieri, Kuçova, Cërriku etj. Më pas në këtë uzinë u punësuan gjithsej rreth 5 mijë veta. Gjatë kësaj periudhe u ndërtuan dhjetëra pallate disakatëshe dhe popullsia e qytetit të Ballshit u rrit mjaft shpejt duke i kaluar 10 mijë veta brenda pak vitesh.
Po gjatë viteve të pluralizmit si e vlerësoni ecurinë e këtij qyteti?
Në vitin 1990 qyteti i Ballshit gëzonte një zhvillim ekonomik nga më të mirët në vend. Por gjatë këtyre 20 viteve të pluralizmit, gjendja e banorëve të këtij qyteti ka ndryshuar shumë herë dhe vazhdon të përkeqësohet. Tashmë është bërë e vështirë të sigurosh një punë, sidomos për të rinjtë. E ardhmja e Ballshit tani duket e zymtë dhe e pashpresë. Tani së fundmi kalimi i superstradës Levan-Tepelenë përgjatë Luginës së Vjosës e izoloi krejtësisht këtë krahinë. Madje qytetarët kanë nisur të krijojnë edhe anekdota; “Ballshi do mbetet si Çeçeni, apo prapa malit si Lumara”, diskutojnë banorët e këtij qyteti me njëri-tjetrin.