Arrihet ne France pakti global per klimen

Arrihet në Paris të Francës pakti global mbi klimën pas gati dy javësh negociata mes 172 delegatëve të botës. Pakti parashtron strategjinë afatgjatë mbi mënyrat sesi do të mund të përballohen ndryshimet e saj. Ministria e Jashtme e Francës tha se drafti do t’i paraqitet ministrave në orën 11:30 të ditës së shtunës, ndërsa deri tani nuk është bërë publik asnjë detaj në lidhje me draftin e arritur. Laurent Fabius, ministri i Jashtëm francez, i cili ka kryesuar bisedimet në këtë samit tha më herët se situata nuk është aspak e mirë, për arritjen e një marrëveshje të fortë dhe ambicioze. Megjithatë u shpreh i sigurt për të prezantuar draftin përfundimtar në orët e para të së shtunës. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon tha se, pavarësisht faktit që ka qenë pjesë e shumë marrëveshjeve, negociatat këtë herë i cilësoi si më të komplikuara, pasi – sipas tij, – lidhen drejtpërdrejt me njerëzimin. “Na ka ngelur një orar i limituar për të vepruar. Sinqerisht unë shpresoj që negociatorët dhe ministrat do të formojnë një udhëheqësi të fortë. Mbeten ende çështje të ndryshme, që nuk rakordojnë, me diferencë konceptesh, ambicie vendesh, apo mbi financimin e paktit. Por ne i kemi identifikuar zgjidhjet e disa problematikave. U bëj thirrje të gjithë shteteve të marrin vendimet përfundimtare në emër të humanizmit”, tha më të premten Ban Ki-moon. 12 dhjetor 2015 (gazeta-Shqip.com)