Basha, thirrje qytetareve per proteste: Te gjithe ne shesh me 17 dhjetor

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e radhës që do të zhvillohet më 17 dhjetor. Gjithashtu ai shkruan se vendimi për të larguar Edi Ramën është i pakthyeshëm. “Ngrihuni toskë e ngrihuni gegë, ngrihuni shqiptarë ti tregojmë vendin. Vendimi për largimin e Edi Ramës është popullor, kombëtar dhe i pakthyeshëm. Të enjten më 17 dhjetor para Kuvendit. Shqipëria ngrihet e nuk prapset. Të gjithë në shesh për të ndalur qeveri-fatkeqësinë”, shkruan ai. Basha ka hedhur edhe një sërë akuzash në drejtim të kryeministrit Rama. “I mbushur deri në fyt me mllef, urrejtje dhe përçmim për popullin e tij, njeriu që ndërtoi pa leje në mes të Tiranës simbolin e izolimit, terrorit dhe mjerimit, ky që bekoi sarajet pa leje të Kokëdhimës me shoke dhe dhjetëra ndërtime të tjera pa leje të familjareve dhe klientëve të tij në mes të Parkut të Tiranës”, akuzon kryedemokrati. 13 dhjetor 2015 (gazeta-Shqip.com)